Kur flasim për diasporën shqiptare gjithmonë mendojmë për gyrbetin, emigrimin apo ndonjëherë e përdorim edhe termin mërgata shqiptare. Të flasim rreth historisë së saj ne e dimë se ajo ka ekzistuar edhe para shumë shekujsh në periudha të ndryshme kohore duke veçuar shpërnguljen e shqiptarëve në Itali pas vdekjes së Skenderbeu-t që ne e quajmë komuniteti “arbëresh” ku rrënjët dhe organizimi i komunitetit përmes shoqatave të ndryshme ruhet edhe sot.
Ndër shpërnguljet tjera veçohen edhe ato në Turqi dhe sidomos para fillimit të luftës së parë botërore 1912 – 1914 dhe gjatë luftës së dytë botërore 1939 – 1944. Kjo shpërngulje kishte më shumë një karakter të dëbimit me dhunë sipas marrëveshjes së mbretërisë jugosllave dhe Turqisë për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi, sidomos kosovareve dhe popullimin me banorë nga vendet e Jugosllavisë. Kjo marrëveshje nuk është zbatuar plotësisht edhe pse një numër i madh janë shpërngulur nga Kosova. Kjo është një nga arsyet kur thuhet se në Turqi ka me miliona shqiptarë por asimilimi i tyre ka bërë që ky komunitet mos të njihet aq shumë në krahasim me popullatën që ka.
Pas shpërnguljes në Turqi, emigrimi i kosovarëve filloj gjatë viteve 70-ta kur shumica prej tyre u larguan nga vendi për shkaqe ekonomike dhe politike duke e gjetur vetveten nëpër vendet perëndimore e sidomos ato gjermano-folëse dhe duke pasur një qëllim “për të punuar dhe fituar para” ndërsa largimi nga Shqipëria filloj gjatë viteve 90-ta pas rënies së komunizmit duke lëvizur sidomos në Itali dhe Greqi.
Pas viteve 90-ta qëllimet e emigrimit të popullatës shqiptare ndryshuan nga ndikimet socio-politike dhe me pas edhe lufta në Kosovë i detyroj që shumë shqiptarë të marrin rrugën e emigrimit për qëllime të ndryshme. Me rritjen e fluksit të madh të emigrantëve në shtetet perëndimore pas viteve 90-ta, këto shtete e panë të arsyeshme të përdorin disa programe të cilat do t’ju ndihmojnë të huajve në gjetjen e vetvetes në rrethana të ndryshme. Këto programe ata i quajtën “integrim” që si qëllim kishin organizimin e të huajve në mësimin e gjuhës, angazhimin në punësim, njohjen e përgjithshme të sistemeve të tyre dhe gjëra tjera në interes të emigrantëve dhe sigurisht në interesin e tyre.
Të rikujtojmë se emigrimet e shqiptarëve gjatë viteve 70- 90-ta kryesisht ishin meshkuj që kishin qëllime të punës dhe përfitimit të parave ndërsa pas viteve 90-ta ata filluan ti marrin edhe familjet e tyre dhe kështu edhe qëllimet e tyre filluan të ndryshonin pasi fëmijët filluan të ndjekin shkollat në një vend të huaj dhe në një formë lindën edhe programet e reja të integrimit të cilat pak a shumë ndikuan në vetëdijesimin rreth çështjeve edukuese ku mundësitë e përfitimit të kësaj forme filluan ti shfrytëzojnë fëmijët e tyre duke ndjekur shkollat dhe në këtë mënyrë pas vitit 2000 lindi gjenerata e re e emigrantëve të cilët në shumë vende i quajnë gjenerata e dytë.
Pas vitit 2000 programet integruese filluan të rriten dhe dalja e gjeneratave të reja filloj ti tregojë rezultatet e tyre me shkollimin në profesione të ndryshme dhe në disa raste edhe kualifikime të larta universitare. Përveç gjërave pozitive që filloj të sjell edukimi i gjeneratave të reja në shtetet perëndimore, ato ndikuan negativisht në trojet tona shqiptare duke marrë me vete edhe intelektualet dhe të rinjtë, për një të ardhme më të mirë drejt vendeve perëndimore.
Ky trend i largimit nga trojet tona për shkaqe ekonomike viteve të fundit është rritur edhe më shumë dhe ka krijuar një mungesë të fuqisë punëtore edhe në trojet tona duke mos harruar problemet tjera të cilat kanë ndikuar më së shumti tek gjeneratat e vjetra ku vetmia është thelluar edhe më shumë duke i lënë të moshuarit në vetmi dhe pa siguri sociale. Ky largim për qëllime punësimi është vërejtur më së shumti drejt Gjermanisë por informacione te sakta rreth numrit të përgjithshëm ende nuk janë përpiluar.
Organizimi i komunitetit shqiptarë përmes shoqatave të ndryshme kulturore ka luajtur një rol të rëndësishëm sidomos gjatë viteve 90-ta në kohën kur Kosova ka pasur më së shumti nevojë nga mbështetja e diasporës shqiptare dhe kjo ka treguar shumë suksese deri në çlirimin e Kosovës. Edhe pas luftës shoqatat kanë mbajtur organizimet e tyre dhe këtu mund të veçohen edhe shkollat shqipe si dhe aktivitetet tjera në ruajtjen e vlerave tona kulturore. Diaspora shqiptare ka luajtur gjithmonë një rol të rëndësishëm në zhvillimet socio-ekonomike tek shqiptarët ku rolin kryesor e kanë luajtur dërgimi i remitencave në krijimin e mundësive tjera të zhvillimeve shoqërore dhe ekonomike.
© 2024 Gjiganti