Emigrimi i shqiptarëve në Zelandë të Re | Gjiganti

Emigrimi i shqiptarëve në Zelandë të Re

Kronika e migrimeve të shqiptarëve në shtetin e paqes, qetësisë e të rregullit janë pjesë e historisë së dhimbshme të zhvendosjeve me represion e dhunë nga tokat e tyre. Mërgata shqiptare në Zelandë është një ndër mërgatat më të reja shikuar në pikëpamje të kohës së mërgimit nga të gjitha bashkësitë tjera shqiptare nëpër botë. Aotearoa siç e quajnë Zelandën e Re vendësit, shqip: toka mbi të cilën qëndrojnë re të mëdha e të bardha, ndodhet në anën jugperëndimore të Oqeanit Paqësor, 8,000 km. larg bregdetit të Amerikës jugore, kurse në veri 2,000 km e ndajnë nga bregu i Australisë lindore. Me një sipërfaqe 269,000 km katror, e përafërt me Britaninë e Madhe, Zelanda përbëhet prej dy ishujve kryesor; verior dhe atij jugor. Toka e reve të mëdha e të bardha është tokë kodrinoro vullkanike e pasur me bimësi, e cila shtrihet në një gjatësi prej 1500 km. nga veriu në jug. Njerëzit e parë janë vendosur në këtë Ishull të largët pak para shekullit X–të.

Në Tokën e reve të bardha e të mëdha, siç e quajtën ardhësit /Maori/, kur erdhën, gjeten parajsën, vendin ku organizuan jetën e re në tokë të re dhe për ketë janë edhe sot shumë krenar. Evropiani i parë që shkeli në Aotearoa ishte lundërtari holandez Abel Tasman, në vitin 1642, i cili qëndroi për pak kohë përgjatë bregut perëndimor dhe sipas regjionit të Zelandës në Holandë ishullin e posa vizituar e quajti “Zelanda e Re”. Pas 127 vjetëve pason vizita e kapitenit anglez James Cook me marinarët e tij, që erdhi nga Tahiti, 1769. Në vitin 1814 për herë të parë vijnë misionarë anglez për përhapjen e fesë krishtere. Më 6 shkurt 1840 pas nënshkrimit të traktatit mes vendasve /MAORI/ dhe përfaqësuesit të mbretëreshës Viktoria, në qytezën Waitangi, Britania e Madhe e shpalli koloni të vetën Zelandën e Re. Në vitet që pasuan ardhjet vazhduan me intensitet më të shtuar nga Britania e madhe, kurse më vonë edhe nga shtetet tjera të Evropës, Azisë .. Sot këtu bashkëjetojnë në harmoni të plotë shumë kultura, gjuhë e raca njerëzish, në mesin e tyre edhe shqiptarë që erdhën këtu pas aplikimit të sistemit sllavo komunist të vitit 1945 në tokat shqiptare, pra në fillim të dekadës së pestë të shekullit XX-të.. Kronika e migrimeve të shqiptarëve në shtetin e paqes, qetësisë e të rregullit janë pjesë e historisë së dhimbshme të zhvendosjeve me represion e dhunë nga tokat e tyre. Mërgata shqiptare në Zelandë është një ndër mërgatat më të reja shikuar në pikëpamje të kohës së mërgimit nga të gjitha bashkësitë tjera shqiptare nëpër botë.

Vapori "Goya" nga Stambolli mbërrin në Zelandë më 1 maj 1951

Për emigrimin e shqiptarëve të parë, në Zelandë të Re, rrëfen Petrit Aliu, njëri nga emigrantët e parë në Zelandë. " Nga Stambolli me vaporin "Goya" kemi mbërri në Zelandë më 1 maj 1951. Numri i saktë nuk me kujtohet, por ishim më tepër se 50 shqiptarë, që të gjithë meshkuj dhe te. rinj nga të gjitha trojet etnike tona. Po i përmend disa prej tyre:Fadil Katseli. Shaqir Seferi /i ndjerë/, Besim Kazazi /i ndjerë/ e Lulzim Pogoni nga Tirana, Shaban Kryeziu, Jorgji Harillamsi dhe Halit Bajrami /i ndjerë/ nga Durrësi, Bahri Kavaja nga Shkodra, Masar Krasniqi nga Prishtina, Zydi Zequllari e Islam Kulla /i ndjerë/ nga Korça, Bajram Murati nga Vlora, Musa Hajdari nga Muzeqina, Nevruz Mullaj nga Gjirokastra, Sabahudin Qefaliu e Qamil Hasani, nga Tetova, Ramazan Daja /i ndjere./ nga Petrela, Kamber Rustemi /i ndjerë/, Vilson Shkambi, Xhelo Resuli, K. Myrteza, Ramadan Nazifi /i ndjerë/ nga Labëria dhe të tjerë. Mënyra se si morëm botën në sy ishte shumë e dhimbshme, thotë, z. Aliu. "Secili prej nesh ka historinë e vet rrëqethëse e të llahtarshme gjatë arratisjes nga vendlindja". Në vaporin “Goya” përveç shqiptarëve kishte edhe rumun, bullgarë e jugosllav. Së pari na vendosen në Pahitua, qytezë afër Wellingtonit. Pas 6 javëve na shpërndan gjithandej Zelandës nëpër ferma duke na pajisur me nga një kartë identifikimi dhe leje për punë. Shpejt e gjetëm veten dhe për pak kohë u adaptuam në rrethin e ri. Pas dy vjetësh kishim të drejtë për t’u vendosur e për të punuar aty ku donim vetë. Disa prej nesh u vendosem në qytetin e Aucklandit. Me punë krijuam kushte të mira për të jetuar. Besoj se edhe para nesh ka pasur shqiptarë në Zelandë të Re. Kur erdhëm takuam një femër shqiptare e ardhur nga Egjipti e cila fliste mire shqipen. Çka u bë me të më vonë nuk di. Por sidoqoftë, ne ishim emigrantët e parë politik shqiptarë, me numër kaq të madh, të vendosur në ketë Ishull të largët. Këtu ne formuam Lidhjen Qytetare të Shqiptareve në Zelandë të Re. Të gjitha forcat i përqendruam në ruajtjen e traditave, gjuhës... mbajtjen e lidhjeve, qëndrimeve në sensibilizimin e çështjes së pazgjidhur të Kosovës me Mërgatat simotra shqiptare në Australi, Amerikë e gjetiu. Tuboheshim gjatë vikendeve, festave dhe kurrë nuk harruam prej nga kishim ardhur, kurrë nuk i humbëm shpresat se një ditë do të thyen qafen diktatura e kuqe. Me rastin e festes se Flamurit takoheshim në shtëpinë e njërit prej nesh dhe festonim familjarisht, para flamurit kuq e zi këndonim himnin, dëgjonim muzikë shqipe evokonim të kaluarën... Sot edhe fëmijët tanë në ketë vend të bukur me demokraci të vërtet kanë krijuar familjet e tyre dhe jetojnë komfort standardit të shoqërisë zelandeze”.

Sipas Petrit Alliut, i lindur në Tirane 1930, i arratisur në vitin 1948, se pari në Turqi e pastaj në Zelande të Re, personalitet i respektuar dhe emër i njohur i futbollit zelandez në vitet 1952-1956. Rreth viteve të 70-ta, 80-ta të shekullit të kaluar pati ardhje në mënyrë individuale, kurse pas vitit 1990 për shkak ndjekjeve, burgosjeve e vrasjeve të shqiptarëve në Kosovë, eksodit masiv në Shqipëri u rritë paksa numri i atyre që vinin në Zelandë. Vala e dytë, kjo e fundit, e imigrimeve masive u bë pas zhvendosjeve të egra të shqiptarëve nga Kosova, në pranverën e vitit 1999. Më, 22 maj 1999, erdhën refugjatët e parë shqiptarë, të cilët u morën në mënyrë të organizuar nga Qeveria zelandeze në kampet e refugjatëve në Maqedoni. Në aeroportin e Aucklandit del i gjithë komuniteti shqiptar, i madh e i vogël, shumë zelandez e të tjerë, të prirë nga kryeministresha e atëhershme e Qeverisë së Zelandës Jenny Shipley me bashkëpunëtorë si dhe përfaqësues të opozitës për t’ju uruar mirëseardhje refugjatëve nga Kosova. Ardhjet vazhduan gjatë tërë vitit 1999. Duhet përmend se në mesin e refugjateve pati edhe personalitete të shquara të kulturës e shkencës shqiptare: Akademik Enver Gjerqeku, shkrimtari Rexhep Hoxha, Dr. Hysen Ukmata etj. Të ardhurit me përjashtim të katër familjeve të ardhura në vitin 2000/ kishin lidhje farefisnore me shqiptarët zelandez. Pritjet qenë të ngrohta dhe emocionuese. Pas një jave qëndrimi në kampin Mangere mirëpriten në familjet shqiptare për të kaluar pastaj në shtëpia, banesa të tyre të marra me qira. Që të gjithë vendosën në qytetin e madh të Auckland-it.

Falë sjelljeve me kulturë, punës me korrektësi, shqiptarët, këtu në Zelandë, respektohen si njerëz punëtorë e familjarë të mirë. Të ardhurit në vitin 1951 ishin kryesisht nga Shqipëria, kurse të ardhurit në vitin 1999 janë nga Kosova. Komuniteti shqiptar është i përqendruar në qytetin Aucklandit. Mundet që edhe në qytete tjera të ketë shqiptarë, por ne nuk i dimë. Në bisedë me mërgimtarët, që kanë përcjellë lëvizjet, ardhjet e shqiptarëve del se në Zelandë të Re duhet të jenë diku 600 deri 700 shqiptarë. Të ardhurit shqiptarë, fjalën e kam për imigrimet të vitit 1999, që të gjithë janë të përqendruar në qytetin e Aucklandit. Ndërkohë që po rritet numri i fëmijëve tanë, ruajtja e gjuhës dhe mësimi i saj po behet gjithnjë e më i vështirë, gjithnjë e me shumë po shfaqet rreziku i humbjes se identitetit kulturor e kombëtar. Është për të ardhur keq se bashkësia shqiptare edhe ato pak aktivitete, veprimtari që i pati dikur, si: fletushkën informative “Fjala jonë", ekipin e futbollit “Kosova”, klubin “Dardania” tashmë janë shuar. Në vitin 2005, autori i këtij shkrimi për hir të fëmijëve tanë, gjuhës shqipe, profesionit /mësuesisë/ që e ka ushtruar 33 vjet në Kosovë, në mbledhjen e Kryesisë së Komunitetit Shqiptar propozoi të bëhen përgatitjet për hapjen e një klase për mësimin e gjuhës shqipe dhe përmes saj edhe kulturës, historisë dhe origjinën e tyre duke premtuar se mësimin do ta mbaj falas, propozimi u mirëprit, u aprovua njëzëri nga kryesia por, për çudi, kjo nismë nuk u realizua me arsyetimin banal të disa prej prindërve: “... se po i ngarkojmë tepër fëmijët, nuk po u lemë mjaft kohë për argëtim...”

Autor:
Sabit Abdyli, Zelandë e Re


Rifreskuar:
18.10.2022

Shpërndaje


© 2024 Gjiganti